Byrek i mbushur në formë lule

Receta e këtij byreku na ka ardhur nga një lexuese e rregullt e faqes tonë, Edona të cilën e falenderojmë. Eshtë me të vërtetë një byrek jo vetëm i shijshëm por edhe i bukur në pamje. Mund ta shërbejmë mbasdite për fëmijët ose për një aperitiv me miqtë. Jam e sigurt që të gjithë do të ngelen të kënaqur nga ky byrek. Në këtë rast ne e kemi mbushur me djathë e gjizë, por gjithsecili mund ta mbush sipas dëshirës e fantazisë.

Byrek i mbushur në formë lule

Përbërësit

  • Përbërësit për brumin

  • 200 ml kos të bardhë
  • 200 ml qumësht
  • 2 vezë
  • 1 filxhan vaj ulliri
  • 1 pako maja për bukë
  • 800 gr miell
  • pak kripë
  • pak vaj ulliri
  • Përbërësit për mbushjen

  • 200 gr djathë i bardhë
  • 100 gr gjizë
  • Përbërësit për lyerjen

  • 1 vezë
  • 50 gr djathë të grirë

Përgatitja

  • Fillojmë të përgatisim brumin duke hedhur miellin në një tepsi. E hapim në mes dhe hedhim pak kripë, vezët e fillojmë ta përziejmë. Shtojmë me radhë vajin, qumështin e më pas kosin. Në fund shtojmë majanë të cilën e kemi shkrirë paraprakisht me pak qumësht. E ngjeshim mirë brumin përreth 15 minuta derisa të arrijmë një masë homogjene. E vendosim brumin në tepsi dhe e lemë të pushojë përreth 30 minuta.
  • Pasi ka pushuar brumi, e marrim dhe e ndajmë në dy pjesë. I hapim pjesët në dy petë. Një petë e shtrojmë në tepsi ku kemi shtruar një letër furri. E mbushim petën sipër me djathin e shtypur të përzier me gjizën. E mbulojmë sipër me petën tjetër. Duhet të kemi kujdes që të puthiten mirë të dyja petët. Me një thikë fillojmë të presim byrekun në katër pjesë, cdo çerek cope e ndajmë më katërsh. Do të kemi kështu gjithsej 16 copa. Duke pasur kujdes që të mos shkëputen nga tepsia, e dredhim çdo pjesë në vetvete dhe i bashkojmë dy e nga dy sikur të ishte një gërshet. Do të kemi kështu 8 gërsheta brumi. E lyejmë sipër byrekun me vezën e rrahur dhe i hedhim sipër djathin e grirë.
  • Vendosim tavën në furrë të nxehtë 200°C dhe e pjekim përreth 35-40 minuta, derisa të shohim që pjesa sipër ka marrë një ngjyrë të bukur të verdhë në kafe. Njerrim tavën nga furri, e lemë të ftohet pak e më pas e shërbejmë.

Notes

Përgatitja

Ju bëftë mirë, presim të tjera receta nga lexuesit!

byrek-lule-receta-gatimi-arti-kuzhines-portali-shqip-gjize-tradicionale-furre

0 Shares
13 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Recipe Rating




You May Also Like

Purè patate

Pureja e patates është një pjatë e shijshme si për fëmijët dhe për të rriturit. Kjo recetë që ne japim është shumë e thjeshtë dhe e shpejtë. Zakonisht për të bërë purenë, patatet zihen më parë me gjithë lëkurë, më pas qërohen dhe kalohen në makinerinë e duhur për të bërë purenë, e pas kësaj zihen me qumësht. Por jo të gjithë mund ta kenë këtë makineri, e për të shkurtuar edhe kohën e përgatitjes kemi menduar të propozojmë recetën e mëposhtëme.

Byrek me patate

Byrek me patate është një recetë tradicionale shqiptare dhe ka një shije të pasur edhe të veçantë. Mund të shërbehet si pjatë unike ne festa ose piknik, absolutisht për tu provuar.

Mish pule me portokalle

Kjo pjatë është një pjatë e lehtë dhe e shëndetshme. Mishi i bardhë i kraharorit të pulës është shumë i mirë nëse gatuhet në mënyrën e duhur. Ky mish është i këshillueshëm edhe për fëmijët e vegjël. Kjo recetë e shpejtë është e përshtatshme edhe për ta. Mjafton pak mish i bardhë dhe portokalle dhe në pak minuta do të keni një pjatë të shijshme.