Embëlsira, Receta për Fëmijë
Komente nga Fb - 4 komente

Akullore shtëpie me çokollatë

Akullore me çokollate

receta-akullore-shtepie-bere-vete-ice-cream-a

Në këto ditë të nxehta ku ka më mirë se një kupë me akullore. Për më tepër na shijon nëse e kemi gatuar vetë. Të bësh vetë akulloren në shtëpi pa patur makinë akulloreje nuk është shumë e vështirë.


Duhet të themi që procesi është pak i gjatë sepse pasi e kemi vënë në ngrirje, duhet ta trazojmë akulloren çdo 45 minuta. Prandaj duhet të kemi shumë durim në përgatitjen e akullores. Pasi kanë kaluar 5-6 orë do të shohim që akullorja është gati dhe kur do ta shijojmë do ta kuptojmë që mundimi që kemi bërë në përgatitje ia vlen. Alternative, Akullore me Vanilje.

Përbërësit për Akullore shtëpie me çokollatë


  • 500 ml qumësht

  • 150 gr sheqer

  • 2 lugë gjelle sheqer pluhur

  • 50 gr çokollatë të zezë

  • 50 gr çokokrem (Nutella)

  • 20 gr kakao pluhur

  • 3 vezë

  • pak aromë vanilje

receta-akullore-shtepie-bere-vete-ice-cream-c

Përgatitja

Si fillim duhet të gjejmë një enë inoksi për përgatitjen e akullores në mënyrë që të futet edhe në ngrirje në frigorifer.

Marrim vezët dhe ndajmë të verdhat nga të bardhat. Këto të fundit i hedhim në një enë me 2 lugë sheqer pluhur.

Të verdhat e vezëve i hedhim në një tenxhere ku shtojmë dhe sheqerin e kakaon pluhur. I trazojmë mirë dhe shtojmë ngadalë qumështin duke e trazuar në mënyrë që të mos krijohen kokrriza. Shtojmë edhe aromën e vaniljes. Trazojmë mirë gjithë përbërësit.
Vendosim tenxheren në zjarr dhe e lemë derisa të fillojë të marrë valë. Fikim zjarrin dhe lemë masën e përgatitur të qetësohet.

Ndërkohë shkrijmë në banjomaria çokollatën. Kur kjo të jetë shkrirë, shtojmë çokokremin (Nutella). I bashkojmë mirë dhe i hedhim në tenxheren ku kemi përgatitur më parë masën me kakao. I trazojmë mirë së bashku.

receta-akullore-shtepie-bere-vete-ice-cream-e

Të bardhat e vezëve të cilat i bashkuam me sheqerin pluhur fillojmë ti rrahim duke futur enën në fillim banjomaria përreth 1 minutë e më pas i rrahim normalisht.
Pasi i kemi rrahur, bashkojmë këto në tenxheren me masën e përgatitur më parë. I trazojmë mirë me ngadalë.

Masën e përgatitur e hedhim në enën e inoksit të ftohtë, të cilën e kemi futur paraprakisht në frigorifer.
Akullorja duhet të rrijë të paktën për 5 orë në ngrirje. Duhet të kujtohemi që çdo 45 minuta duhet të trazojmë akulloren në mënyrë që të thyejmë kristalet e akullit që krijohen në sipërfaqe.

Pasi ka kaluar kjo kohë, do të shohim që akullorja është gati për tu servirur. Hedhim akulloren nëpër kupa dhe e shërbejmë.

Ju bëftë mirë!

4 Comments

  1. Pingback: Sallatë frutash - ArtiGatimit.com

Shkruani komentin tuaj - Komente