Tortelli Mugellani – Receta Masterchef Albania

Prova e radhës në Masterchef Albania është ajo e kutisë misterioz (Mistery Box), ku në të cilën gjenden të fshehur disa përbërës me disa prej të cilëve duhet të gatuajmë një pjatë të shijshme, të bukur dhe në kohë. Siç e kam thënë edhe më parë në këto prova koha është e kufizuar, por në shtëpi secili nga ne ka kohën e dëshiruar dhe mund ti gatuaj këto receta pa problem.

Tortelli Mugellani - Receta Masterchef Albania

Përbërësit

  • Përbërësit për 3-4 persona

  • Përbërësit për pastën

  • 300 gr miell
  • 3 vezë
  • ½ lugë kafeje me kripë
  • Përbërësit për mbushjen e makaronave

  • 400 gr patate
  • pak arrë moskat e grirë
  • pak majdanoz i grirë hollë
  • 2 thelpinj hudhre
  • pak vaj ulliri
  • 2 lugë djathë parmixhan i grirë
  • Përbërësit për salcën

  • 200 gr mish qengji pa kocka
  • 1 qepë
  • 1 karrotë
  • 1 degë të vogël selinoje
  • 200 gr domate të freskët
  • pak kripë
  • pak piper
  • 2 lugë vaj ulliri
  • 1 degëz rozmarine
  • pak trumzë
  • 1 gjethe dafine
  • ½ gote verë të bardhë

Përgatitja

  • Si fillim përgatisim brumin për të bërë makaronat. Shikoni këtu përgatitjen e brumit për makarona të freskëta.
  • Pasi e kemi bërë, e lemë brumin të pushojë.
  • Ndërkohë vendosim patatet të ziejnë me lëkurë në një tenxhere me ujë e kripë.
  • Fillojmë e përgatisim edhe salcën. Presim mishin në copa shumë të vogla me thikë ose nëse keni makinë grirëse mund ta bëni metë. Në tigan hedhim pak vaj ulliri dhe grijmë hollë qepën. E kavërdisim pak e më pas shtojmë edhe karrotën dhe selinonë e grirë hollë. I kavërdisim për disa minuta me zjarr të ulët dhe pastaj shtojmë mishin. E trazojmë mirë dhe e lemë të kavërdiset me zjarr të fortë. Më pas e shuajmë me verë të bardhë dhe e lemë derisa të avullojë alkooli. Më pas ulim zjarrin dhe shtojmë domatet e grira. Hedhim erëzat, pak kripë e pak piper dhe mbulojmë tiganin me kapak. E lemë të piqet ngadalë dhe mund të shtojmë edhe ½ gote ujë ose lëng mishi që të vazhdojë zierja.
  • Përgatisim mbushjen e tortellit. Pasi patatet janë zier, i qërojmë dhe i shtypim me shtypëse. I hedhim në një enë qelqi. Ndërkohë në një tigan hedhim vaj ulliri dhe hudhrën. E nxehim derisa vaji të marrë aromën e shijen e hudhrës, por duhet të kemi kujdes që ajo të mos digjet. Heqim thelpinjtë e hudhrës nga vaji dhe hedhim vajin e aromatizuar në enën me patatet e shtypura. Shtojmë aty edhe majdanozin e grirë, djathin e grirë, pak arrë moskat dhe pak kripë. I trazojmë mirë derisa të përzihen të gjithë përbërësit. Mbushja është gati.
  • Marrim brumin dhe hapim petën ( Klikoni këtu për më tepër). Me anë të një thike ose një prerëse me dhëmbëza presim disa katrorë, mbi to vendosim nga pak mbushje ( rreth një lugë kafeje). Vendosim një katror paste tjetër mbi të dhe e mbyllim raviolin. Për ti ngjitur më mirë anët e pastës do ti lyejmë me furçë me pak ujë ose të bardhë veze. Duhet të kemi kujdes që brenda mos të ketë ajër pasi raviolit në këtë mënyrë do të çahen gjatë zierjes. Vazhdojmë kështu derisa të kemi mbaruar të gjithë mbushjen.
  • Më pas i hedhim me kujdes që të ziejnë në një tenxhere me ujë të kripur dhe pak vaj ulliri. Kur makaronat të mbërrijnë në sipërfaqe i kullojmë dhe i hedhim në tiganin me salcën e përgatitur.
  • I përziejmë mirë dhe më pas i vendosim në pjatë dhe i shërbejmë.

Notes

Duke parë përbërësit e kutisë, në atë moment, më erdhi direkt në mendje një recetë tipike e zonës së Toskanës. Tortelli Mugellani ( torteli muxhelani), i thonë në italisht dhe unë vendosa ta shkruaja po kështu, ( edhe pse në çdo recetë që shkruaj mundohem që ti përshtas sa më mirë në shqip fjalët edhe pse në shumicën e rasteve është pak e vështirë duke qenë se në kuzhinë ka edhe terma internacionalë).
Atëherë kjo lloj paste edhe pse i kanë vënë emrin tortelli është më tepër në formën e një ravioli të madh të cilat kanë një mbushje patateje dhe erëzash. Receta origjinale thotë që këto lloj makaronash duhet të shoqërohen me një salcë të bërë me mish të grirë derri të egër, por fare mirë mund ti bëni edhe veç me gjalpë e sherbelë.
Kjo pjatë lind si një pjatë e varfër. Mbushja brenda bëhet me patatet e para të mbledhura në zonën ku lindi receta në Mugello (Toscana). Tanimë kjo pjatë vlerësohet shumë edhe në restorantet më të mira në Toskanë dhe jo vetëm.
Unë gatova këtë recetë në provën e radhës dhe salcën e përgatita me një salcë të bërë me mishin e qengjit që kisha në dispozicion. Në recetën e mëposhtme kemi vënë përbërësit me masën për 3-4 persona.

Përgatitja

Ju bëftë mirë!

0 Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Recipe Rating




You May Also Like

Noodles – Makarona Orizi me Perime

Noodles është emri i makaronave të gjata tipike i kuzhinës aziatike e orientale. Janë pak a shumë të ngjashëm me makaronat spageti por 'noodles' janë me përbërje të ndryshme si psh. prej soje ose orizi. Në këtë recetë ne përgatisim noodles orizi me perime. është një pjatë e shijshme që këshillohet të hahet me shkopinj.

Makarona Spaghetti në Wurstel

S'keni shumë kohë dhe nuk keni përgatitur asgjë për drekë për fëmijët tuaj? Ja një recetë e shpejtë dhe e thjeshtë që do të bëjë të lumtur fëmijët tuaj dhe jo vetëm. Kjo është një pjatë që pëlqehet nga gjithë familja. Në përgatitjen e kësaj pjate merrni dhe fëmijët t'ju ndihmojnë, të fusin fijet e spaghettit në copat e wurstelit. është e sigurt që përveçse do të zbaviten, kjo pjatë do t'ju shijojë shumë.

Makarona në furrë

Kjo recetë është një pjatë me të vërtetë shumë e shijshme. Në fakt mund ta quajmë një tortë makaronash dhe mund ta shërbejmë si pjatë të vetme pasi është e pasur me shumë përbërës. Ne kemi përdorur makarona të shkurtra (pennette),por ju mund të përdorni llojin e makaronave që ju pëlqen.Kjo është dhe një recetë për të ricikluar makaronat e mbetura më parë.