Vezë në fole spinaqi – Receta Masterchef Albania

Prova e radhës në Master Chef Albania ishte përgatitja e një pjate ku përbërësi kryesor të ishte veza. Në momentin kur shefat nxorën vezën mendimi im i parë ishte lidhja e vezës me spinaqin sepse kjo shije më pëlqen shumë. Mendova ta shoqëroja pjatën edhe me ca grisini ose shkopinj të bëra me arra e ca fara lulëkuqe sipër. Vezën vendosa ta bëja të zier në një qese plastmasë me pak erëza brenda.

Vezë në fole spinaqi - Receta Masterchef Albania

Përbërësit

  • 1 vezë
  • 300 gr spinaq të freskët
  • 1 e 1/2 lugë vaj ulliri
  • 20 gr rrush i thatë
  • 20 gr stika pishe
  • pak kripë
  • pak piper
  • 1 thelpi hudhre
  • Përbërësit për grisini

  • 100 gr miell 00
  • 50 gr arra të qëruara
  • 1 lugë kafeje me sheqer
  • pak kripë
  • 3 lugë vaj ulliri
  • pak fara luledielli
  • 1 majë luge kafeje maja birre
  • 50 ml ujë të vakët
  • pak qumësht

Përgatitja

  • Pasi të fillojmë gjithë përgatitjen duhet të vendosim në një enë me ujë të ftohtë rrushin e thatë që do të na duhet për spinaqin.
  • Si fillim përgatisim brumin për grisinit. Në një gotë shkrijmë majanë e birrës me pak ujë të vakët dhe sheqerin. Marrim miellin e situr dhe e hedhim në tavolinën e punës ku formojmë një rreth të vogël. Në mes hedhim vaj ulliri e pak kripë. I përziejmë ngadalë dhe shtojmë pak nga pak ujin me majanë e shkrirë. I trazojmë mirë e fillojmë të ngjeshim brumin. Ndërkohë grijmë arrat me grirësin elektrik. I grijmë pak trashë. Hedhim edhe arrat te brumi dhe vazhdojmë ta përziejmë. Ngjeshim brumin mirë derisa të arrijmë një masë homogjene, shtojmë pak ujë nëse e shohim që brumi është pak I thatë ose e kundërta, shtojmë pak miell nëse brumi është I qullët. Zëmë brumin mirë dhe e lemë në një enë qelqi të mbuluar me pecetë të lagur. E lemë të pushojë rreth gjysmë ore, ( unë duke mos pasur shumë kohë në dispozicion gjatë garës nuk kisha kohë që ta lija të pushonte).
  • Pasi brumi ka pushuar fillojmë e formojmë shkopinjtë. Hapim brumin me një trashësi rreth 5 mm dhe presim nga ai shirita rreth 1 cm të gjerë dhe 15 cm të gjatë. I vendosim në një tavë me letër furi. Me një penel lyejmë sipër shkopinjtë me pak qumësht dhe iu hedhim sipër fara lulëkuqe. I lemë rreth 15 minuta të pushojnë e më pas I pjekim në furrë të nxehtë 180°C përreth 10-15 minuta. Pasi janë pjekur I lemë të ftohen pak.
  • Përgatisim spinaqin. Pasi e kemi larë mirë e hedhim në një tigan me 1/2 lugë vaj ulliri dhe një thelpi hudhër. I shtojmë pak kripë dhe e mbulojmë me kapak dhe e lemë të ziejë ngadalë me ujin e vet. Më pas e marrim spinaqin dhe e vendosim në tavolinën e punës ku e grijmë me thikë. Në tigan shtojmë vaj ulliri dhe hedhim në të rrushin e thatë të kulluar nga uji, shtojmë gjithashtu dhe stikat e pishës. Pasi i kavërdisim pak shtojmë spinaqin dhe i përziejmë mirë. Shtojmë pak piper dhe e përziejmë mirë.
  • Në një tenxhere hedhim ujë dhe e lemë të ziejë. Marrim një filxhan çaji ose një tas të vogël, marrim një copë qese plastmasë, nga ato me të cilat mbledhim ushqimet ( pellicola), e shtrojmë mbi tasin, e lyejmë sipërfaqen e qeses me pak vaj ulliri dhe thyejmë mbi të vezën. I hedhim pak kripë, pak piper,pak trumzë apo borzilok,(erëzat që ju pëlqejnë më shumë). Unë i shtova edhe pak fare vaj tartufi. Mbyllim me kujdes qesen dhe e lidhim me një spango. Fusim qesen me vezën në uji e nxehtë dhe e lemë të ziejë vetëm për 4 minuta, jo më shumë. E heqim nga zjarri e presim qesen dhe nxjerrim vezën me shumë kujdes që të mos prishet.
  • Fillojmë e vendosim në pjatë spinaqin duke përdorur unazë hekuri të rrumbullakët, sipër vendosim vezën e pjekur dhe anash shkopinjtë me arra e fara lulëkuqe.

Notes

Përgatitja

Shërbejmë pjatën të ngrohtë.

Ju bëftë mirë!

0 Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Recipe Rating




You May Also Like

Musaka me patate

Musaka është një pjatë tipike e kuzhinës greke. Ka shumë variante të musakasë si me patëllxhanë, kunguj, patate apo perime të tjera. Ne këtu e kemi sjellë në variantin me patate. Kjo është një recetë e shijshme dhe që mund ta shërbejmë si pjatë kryesore.

Tavë me kërpudha shoqëruar me salcë djathërash – MasterChef Albania

Pressure test quhet prova e radhës, një test nën presion. Në këtë test duhet të gatuajmë një pjatë ku përbërësi kryesor duhet të jetë kërpudha. Koha në provat e programit Masterchef Albania është shumë e limituar, duhet të shtojmë edhe emocionet, tensionin dhe faktin që gatuan përpara shefave të vërtetë dhe të gjitha këto bëjnë që ndonjëherë të mos arrish rezultatin e dëshiruar