Piadina është një lloj buke e holle,( më mirë të themi pite e hollë), e cila e ka origjinën nga Romagna. Kjo lloj pite është e njohur kudo dhe pëlqehet nga të gjithë. Zakonisht mbushet me djathë dhe paloset ne mes, por gjithsecili mund ta mbushë me përbërësit që dëshiron si proshutë, sallatë,domate e perime të tjera. Mund te hahet ne formën e një sanduiçi.
Receta për Piadina
Përbërësit
- 450 gr miell
- 150 ml ujë
- 50 ml vaj ulliri extra i virgjër
- 1 lug çaji sodë buke
- pak kripë
Përgatitja
- Në një enë përziejmë miellin, kripë dhe sodën e bukës, pastaj shtojmë vajin e ullirit. Receta tradicionale përdor strutto (yndyrë derri), por kjo recetë do të jetë më e lehtë. Shtojmë ujë dhe fillojmë të përziejmë përbërësit. Vazhdojmë të ngjeshim brumin për 10-15 minuta me dorë ose për këtë procedurë mund të përdoret edhe makineri kuzhinë, ( robot kuzhine/planetaria).
- Kur masa është homogjene dhe e butë, vendosim brumin në një qese plasmasi dhe e lemë të pushojë për rreth një orë.
- Pasi ka pushuar, marrim brumin dhe e ndajmë në toptha të vegjël rreth 160-170 gr secili dhe me anë të një peci ( okllahi) hapim një e nga një petët të cilat duhet të kenë një trashësi rreth 4-5 milimetra dhe një diametër rreth 25 cm.
- Bëjmë disa vrima me pirun mbi petë për tu mos krijuar flluska të mëdha.
- Në një tigan pa yndyrë, pjekim piadinën tonë për 1-2 minuta për çdo anë.
- Piadina është gati, dhe ju mund ta shërbeni të ngrohtë e të mbushur brenda me atë që dëshironi, djathë të butë, proshutë apo ta shërbeni në tavolinë si bukë të vogla.