Lëkura limoni në shurup përgatiten me lëngun e portokallit dhe kanë një aromë fantastike. Përdorimi kësaj lloj gliko në recetat për ëmbëlsira është nga më të ndryshëm, shijes i jep një flagrancë aromatike por përdoret edhe si dekor.
Gliko me lëkura limoni
Sasia: 4 vazo
Kalori: 130kcal
Përbërësit
- 500 gr lëkura limoni
 - 450 gr sheqer
 - 100 ml ujë
 - 100 ml lëng portokalli
 - 10 ml lëng limoni
 - 1 shkop kanelle
 
Përgatitja
- Për përgatitjen e kësaj glikoje duhen zgjedhur limona me lëkurë të trashë. Në vend të limonëve mund të përdorim edhe lëkura portokalli. Procedura e përgatitjes së glikosë është e njëjtë.
 - Hapi i parë
 - Lahen limonët dhe pritet me thikë një pjesë e bishtit dhe të fundit. Më pas e presim në thela dhe i ndajmë me kujdes nga pjesa e tulit. Lëkurat e limonit i presim jo shumë të gjera. I rrotullojmë si në figurë dhe i kapim me gjilpëre me fill.I bëjmë në vargje sa ti përfundojmë të gjitha lëkurat.
 - Hapi i dytë
 - Mbushim një enë me ujë të bollshëm duke e lënë në zjarr sa të vlojë. Hedhim vargjet me lëkura. I lemë 3-4 minuta sa të marrin valë dhe i kullojmë. Kjo gjë do të përsëritet 4 herë,sa lëkurave tu iki hidhërimi.
 - Hapi i tretë
 - Hedhim masën e ujit dhe lëngun e portokallit në një enë. I lemë të vlojë dhe hedhim sheqerin. Sipas dëshirës mund të shtojmë edhe 1 shkop vanilje. E përziejmë masën dhe sapo të shkrijë sheqeri hedhim lëkurat. I lemë të ziejnë në zjarr të avashëm për gati 40 minuta.
 - Pasi e shikojmë që sherbeti është trashur hedhim lëngun e limonit duke e lënë dhe 5 minuta të tjera në zjarr.
 - Glikoja me lëkura limoni është gati. Për ta ruajtur gjatë, glikonë e përgatitur e hedhim në vazo të sterilizuara, të nxehtë, duke i mbyllur fort me kapak.
 - Vazot me gliko i radhitim në një enë me ujë të bollshëm, të cilën e vendosim në zjarr dhe e leme edhe 5 minuta pasi të marri valë. I lëmë të ftohën dhe vazot me gliko i konservojmë në ambient të errët dhe pa lagështi.
 

Me limonët qe ngelen mund të përgatisim limontë, kështu asgjë nuk shkon dëm. Lexoni gjithashtu recetat e ngjashme për: Gliko arre, Gliko mandarine, Gliko qershie.

					
