Pula e mbushur është një pjatë e dytë, e veçantë dhe e shijshme. Përgatitja e kësaj pjate mund të kërkojë pak kohë, por ia vlen me të vërtetë mundimi, pasi rezultati është me të vërtetë fantastik. Këtë recetë mund ta përgatisim për raste të veçanta ose për dreka e darka të rëndësishme.
Role Pule
Përbërësit
- 1 pulë
- disa degë rosmarine
- disa degë sherebelë
- pak kripë
- pak piper
- pak vaj ulliri
- 200 gr pançetë në feta
Përbërësit për mbushjen
- 150 gr mish i grirë
- 1 fetë buke
- pak qumësht
- 60 gr shqind pistak
- 1 vezë
- pak majdanoz
- pak kripë
- pak piper
Përgatitja
- Marrim pulën dhe i heqim kockat, (për të mësuar si hiqen kockat e pulës, shikoni recetën e postuar këtu: Si të heqim kocktat tek pula ). Mishin e pulës e vendosim mbi një dërrasë dhe e rregullojmë pak me thikë në mënyrë që të jetë i njëtrajtshëm.
- I hedhim pak kripë sipër. Ndërkohë në një pjatë kemi vendosur fetën e bukës të regjet me pak qumësht. Në një tas hedhim mishin e grirë, majdanozin e prerë hollë, kripë, piper, kokrrat e shqindit. I përziejmë mirë me dorë, bashkojmë dhe bukën e regjur dhe vazhdojmë ta përziejmë mirë derisa përbërja të jetë homogjene. Me këtë përbërje mbushim pulën, e hedhim sipër mishit, e mbulojmë komplet.
- Më pas, (me kujdes që mbushja mos të dalë anash), fillojmë të mbyllim pulën në formë roleje. E mbulojmë komplet rolenë e pulës me pançetë.
- Pasi e kemi mbuluar të gjithë fillojmë ta lidhim rolenë me fill kuzhine. I vendosim sipër rozmarinë e sherebelë. E spërkasim me pak vaj dhe e vendosim në një tepsi. Rolenë e përgatitur e pjekim në furrë 250°C përreth 15 minuta.
- Pasi është skuqur në sipërfaqe e mbulojmë me letër alumini dhe e lemë të piqet në furrë 180°C përreth 50 minuta. Pasi është pjekur e lemë të ftohet pak, i heqim fillin dhe e presim në feta. Pjatën e servirim të ngrohtë.
1 comment