Mishi i pulës mund të gatuhet në mënyra nga më të ndryshmet. Në këtë recetë ne e kemi sjellë të gatuar me perime të ndryshme. Kjo është një pjatë shumë e shijshme dhe jo shumë e vështirë në përgatitje.
Pulë me perime
Përbërësit
- 1 pulë
- 1 qepë
- 1 karrotë
- 2 degë selinoje
- 1 spec i kuq+ 1 spec jeshil
- 1 kungull
- 2 domate
- 1 thelpi hudhre
- 7-8 lugë gjelle vaj ulliri
- pak kripë
- pak piper
- 1 lugë gjelle majdanoz i grirë hollë
- 1 degë rozmarinë
- 2 gjethe sherebele
- 1 gotë verë të bardhë
Përgatitja
- Fillojmë përgatitjen me pastrimin e pulës. E presim në thela të vogla. E lajmë dhe e thajmë me letër kuzhine. Pastrojmë dhe qërojmë perimet me radhë. I presim perimet në copa të vogla. Qepën e grijmë hollë.
- Hedhim në një tigan të madh vaj ulliri e më pas shtojmë copat e mishit të pulës. I skuqim mirë nga të dyja anët.
- Pasi mishi është skuqur shtojmë qepën e grirë, karrotën dhe selinonë e prerë në copa. Shtojmë gjithashtu dhe degën e rozmarinës, gjethet e sherebelës dhe hudhrën. I lemë disa minuta të kavërdisen e më pas i shuajmë me verë. Lemë të avullojë alkooli i verës e më pas shtojmë perimet e tjera, (specin,kungullin e domatet) të prera në copa. Shtojmë pak kripë e piper dhe mbulojmë tiganin me kapak. Lemë të piqet me zjarr të ngadaltë përreth 30 minuta derisa mishi i pulës të piqet. Nëse e shohim që pula është tharë mund të shtojmë një garuzhde brodo (lëng mishi, kliko këtu për recetën).
- Kur mishi është pjekur, fikim zjarrin dhe shtojmë majdanozin e grirë hollë. (Duhet të kemi kujdes që të heqim hudhrën, sherebelën dhe degën e rozmarinës nga tigani).
- Hedhim pulën me perime në pjata dhe e shërbejmë të ngrohtë.
6 comments
si ti gjej kto erza ne angli flm
Në çdo supermerkato apo fruta perime shop.
si thuhen ne anglisht erzat qe perdoren per kete recet
Mirela erezat qe jane perdorur ketu jane piper-pepper, rozmarine-rosemary, sherebele-sage.
Ok. e kuptove tani? besoj se i gjen kudo keto ereza.
flm nerti une nuk perdor asnjeher erza ne gatim po kjo recet me pelqej shum flm gjithsesi
Je e mirëpritur Mirela! Përdorimi i erëzave është shume i rekomanduar ne kuzhinë.