E kush nuk e pëlqen çokollatën? Kjo tortë është pikërisht për ata persona që e adhurojnë këtë ëmbëlsi. Kjo tortë është një pandispanjë me çokollatë e mbushur me krem çokollate. Është një tortë shumë e shijshme.
Tortë super çokollatë
Sasia: 10 persona
Kalori: 320kcal
Video
Përbërësit
Përbërësit për tortën
- 4 kokrra vezë
- 170 gr miell
- 50 gr kakao pluhur
- 100 gr çokollatë të zezë
- 80 gr gjalpë
- 80 gr sheqer
- pak qumësht
- 1 pako maja për ëmbëlsira
- pak rum për të lagur tortën
Përbërësit për kremin
- 100 gr çokollatë të zezë
- 500 ml pana ajke qumështi
- 100 gr gjalpë
- 300 gr krem çokollate me lajthi tipi Nutella
- disa pufka të vogla për zbukurim
Përgatitja
- Në një enë të madhe hedhim të bardhat e vezëve dhe i rrahim fort derisa të bëhet një shkumë e bardhë. Në një enë tjetër të madhe hedhim gjalpin e shkrirë dhe sheqerin. Fillojmë ti rrahim me rrahësin elektrik.
- Më pas shtojmë të verdhat e vezëve një e nga një dhe vazhdojmë ti rrahim derisa të arrijmë një masë të fryrë dhe homogjene.Shtojmë me anë të një site miellin e bashkuar me kakaon dhe majanë. I trazojmë mirë.
- Shtojmë ndërkohë edhe qumështin dhe çokollatën e shkrirë më parë në banjomaria e tashmë të ftohur. I trazojmë mirë me kujdes. Marrim një tavë të lyer me gjalpë e miell e hedhim në të masën e përgatitur. E pjekim tortën në furrë 180°C përreth 1 orë.
- Ndërkohë përgatisim kremin. Hedhim në një tenxhere panën dhe gjalpin. E ngrohim derisa të shkrijë gjalpi. Më pas e heqim nga zjarri dhe hedhim në të çokollatën e grirë hollë dhe nutellën. I përziejmë mirë derisa të shkrihen të gjithë përbërësit.
- Më pas masën e përgatitur e hedhim në një enë qelqi dhe e lemë në frigorifer përreth 2 orë. Pasi ka kaluar kjo kohë e rrahim kremin me rrahësin elektrik derisa të arrijmë një shkumë të vërtetë.
- Pasi torta është ftohur e presim në mes për së gjati. E lagim tortën në mes me pak rum ( ose thjesht me ujë e sheqer). Hedhim mbi të gjysmën e kremit, e hapim me kujdes. Vendosim gjysmën tjetër sipër.
- E lyejmë sipër dhe anash me kremin e mbetur. Tani torta është gati për tu zbukuruar me pufka të vogla ose me çokollatë të bardhë të grirë hollë.
- Tortën e përgatitur e vendosim në frigorifer përreth një orë përpara se ta shërbejmë e më pas e presim në copa.
Receta për torte me kakao
Ju bëftë mirë nga ArtiGatimit!

Na ndiqni në Instagram @ArtiGatimit dhe vendosni tag #artigatimit recetat që gatuani!
30 Comments
Komento nga Facebook!